Léon Cogniet – Briseja duke vajtuar Patrokliun, 1815

Léon Cogniet (1794-1880) – Briseja duke vajtuar Patrokliun, 1815

(s. guraziu – ars poetica – koment, art klasik)
…në pikturën e Cogniet, majtas e shohim Akilin e “tmerruar” pas vrasjes së Patrokliut nga Hektori (princi i Trojës, kryetrimi që u printe trojanëve në mbrojtjen e Trojës), tutje si detaj “qendror” piktural shihet Briseja (ose Hipodameia – Briseida ishte emri romak i saj) mbi trupin e Patrokliut duke qarë e vajtuar… ironia është se jeta e bukuroshes Briseja qe shkatërruar nga vetë Akili, ky ia pati vrarë burrin dhe 3 vëllezërit, si dhe e pati marrë me vete si “robinë lufte”, si skllave – sidoqoftë, edhe përkundër tragjedisë familjare shkaktuar nga Akili, edhe përkundër se grekët ishin armiqtë që kishin vrarë e shkatërruar gjithçka të popullit të saj, edhe përkundër natyrës së çuditshme emocionale të njeriut… siç na e paraqet Homeri, ajo më vonë fillon të ndiejë për Akilin dhe natyrisht, tani pas vrasjes së Patrokliut, Briseja me ndjesinë femërore ndien dhimbje për vdekjen e një të riu, i “afërm” i Akilit…

***
[ më poshtë, pjesë e shkëputur nga: “Disa Pikëpyetje rreth Homoseksualizmit të Akilit (Homerik)” – Senad Guraziu – Ars Poetica, T 2018, Sht 2022 ]
| – – –
Marrëdhënia mes Akilit dhe Patrokliut është një paqartësi për të cilën e rrahin mendjen gjithë shkollarët. Ishin këta dy luftëtarë miq apo dashnorë? Vëllezër (psh. nga nënash të ndryshme), kusherinj, shokë lufte, apo thjesht homoseksualë të dashuruar? Gjuha e Homerit është e paqartë…
Platoni thoshte se Akili dhe Patrokliu kishin marrëdhënie homo-erotike. Ndërsa mjaft shkollarë, botimet e Cambridge a të Harvard sikur na thonë “jo, xhufurraku Platon ishte ngatërruar, e kishte gabim”. Të njëjtën linjë e ndjek dhe industria e Hollivudit. Vallë kujt duhet besuar, kur madje s’është nevoja as për “studime” për ta patur të qartë se dhe vetëm nga amforat “pederastia” për të cilën fliste Platoni, praktikohej, ishte reale.
Pse Platoni do pohonte ashtu – apo ndoshta thjesht ishte “objektiv” dhe i arsyeshëm. Platoni mirë e dinte që pederastia ishte e zakonshme në Greqinë e Lashtë, dhe jo vetëm ai e dinte, – mendon autori R. Stone, “Athina ishin shteti i parë grek i asaj kohe për ta përfshirë praktikën “homoseksuale” në shoqëri në një mënyrë strukturore” – shprehet ai.
Që nga shkollarët e vjetër e deri dhe sot nga modernët nuk është e “qartë” pse Akili e donte Patrokliun aq shumë! Pse do t’bënte aq shumë për të, pse nuk i dhimbsej as jeta as hiçgjë për të? Pse do qante, pse do binte aq ulët, jo tashmë si një burrë, a si një hero, as si trim, por si një i dobët, i katandisur si mos më keq. Do tregohej shumë më i dobët sesa vetë Briseja, mbi trupin e pajetë të Patrokliut!
Homeri s’thotë asnjë fjalë që lidhja mes Akilit e Patrokliut të ketë qenë homo-erotike. Mirëpo s’e fsheh faktin që me vrasjen e Patrokliut, Akili qe zemëruar tepër shumë, më “tepër” se ç’duhej. Ashtu-kështu kryetrimi s’kishte frikë nga asgjë, ishte trim i madh (njësoj si dhe Hektori në mbrojtjen e Trojes së vet). U desh vrasja e Patrokliut që Akili t’i “kthehej” luftës, thuase tashmë vetëm e vetëm që të hakmerrej për Patrokliun. Sipas Akilit, tashmë sakaq njëri prej tyre duhej të vdiste, o Hektori o ai vetë.
Lufta kishte një dekadë tashmë që vazhdonte, pikërisht në vitin e fundit Akili do t’fyhej keq nga kryekomandanti, Agamemnoni. Shkaku, Briseja e bukur, robina “e dashur” e luftës së Akilit (i takonte Akilit, por ia pati marrë Agamemnoni, mbase i pëlqente për vete), tani për inat Akili s’donte të luftonte. Si mund të frymëzohesh për luftë (pas një dekade veç duke luftuar) nëse komandanti merret me të tilla padrejtësi. Del se Akili s’kishte aspak faj, si “koncept” arsyetohet plotësisht hidhërimi i tij. Tekefundit kështu na e paraqet Homeri.
Do t’refuzonin të luftonin dhe burrat të cilëve u printe Akili (mirmidonët). Pra Akili qe “hidhëruar” fort me Agamemnonin (ky ishte diç si “mareshal” për gjithë ushtrinë greke). Anise 10 vite luftë (veç ishin bërë), sakrifica e mundime të medha, tani Akilit i pëlqente të fishkëllente me sytë kah qielli. Tashmë vërtitej poshtë e lart plazhit kot, i pëlqente të merrej me hiçgjë, më mirë të piqte shtalba sesa të merrte pjesë në betejat!
Meqë Akili s’donte të luftonte, atëherë sipas Homerit dikush duhej, pena e tij do ta zgjedhte Patrokliun. Deri atëherë Patrokliu thuase qëronte patate në kuzhinën e armades greke, s’dinte gjë për të asnjëra nga perëndeshat. Aq i “afërt” me Akilin, mirëpo ja që perëndesha Athina s’do i ndihmonte me lëngun magjik! Meqë Akili e kishte vullnetin përtokë, s’i duheshin tutje helmetat, do i huazonte Patrokliu, që të maskohej gjoja si Akil.
Në rregull, Hektori s’do ta njihte Patrokliun nën armorin e Akilit. Patrokliu donte të shtirej një Akil zemërluan, thuase dhe pas 10 vitesh të çelikosjes me luftën kishte ngelur ende një djaloshar naiv, i njëjti Patroklius kur qe nisur! Do zhvillohej një betejë, nën udhëheqjen e Patrokliut beteja qe fituar nga grekët. Për fat të keq ai vetë megjithatë qe vrarë nga Hektori, anise ky i fundit do t’pandehte se kishte vrarë Akilin.
Historia ka mjaft shembuj kur luftrat nisen për shkak të një femre, e gjithë Greqia qe trazuar për ta mbrojtur nderin. Mirëpo kur një luftëtar i vetëm, kur vetë kryetrimi e braktis luftën, vallë si nuk u gjet pastaj një Helena për ta “bindur” që t’i kthehej luftës dhe mbrojtjes së nderit, pse duhej t’ishte një mashkull?
Nëse një femër e vetme do t’ishte e mjaftueshme për ta bindur gjithë Greqinë të nisej me “1001” anije përtej detit dhe ta shfaroste Trojen, vallë pse s’u gjet një “Helena” tjetër pastaj që ta bindte një Akil të vetëm?! Nëse Akili ishte “pederast” (siç insistonte Platoni dhe të tjerë “kronistë”), pse duhej një mashkull i dashur Homer, pse një Patroklius? Pse Platoni do thoshte diç ashtu nëse t’mos ishte e vërtetë, se Akili dhe Patrokliu ishin dashnorë, do ishte nonsens i madh për një Platon, do ishte paragjykimi më i madh platonik.
Homeri e kthen Akilin në luftë me “ndihmën” e Patrokliut, por refuzon t’na e sqarojë “afërsinë”, marrëdhënien e saktë mes tyre. Homeri refuzon që t’i përshkruante si “homoseksualë”, askund s’e përmend një mundësi të tillë. Akili pastaj do ta vriste Hektorin, por kjo pati qenë e mundur me ndihmën e perëndeshës Athina. Fuqinë Akili e pati marrë nga “mrekullia” që ia pati dhënë ta pinte perëndesha Athina.
| – – –
[ shkëputur nga: “Disa Pikëpyetje rreth Homoseksualizmit të Akilit (Homerik)” – Senad Guraziu – Ars Poetica, T 2018, Sht 2022 ]